Telegrafi

Berisha: I lumtur me fitore, faleminderit përkrahësve

Basketbollisti Dardan Berisha, kapiten i Kosovës, ndihet krenar për fitoren me rezultat 72:68 ndaj Maqedonisë, në ndeshjen e vlefshme parakualifikuese për Kampionatin Botëror – Kina 2019.

Berisha ishte ndër më meritoët në këtë fitore, pasi basketbollisti pejan shënonte në momentet më të nevojshme për Kosovën.

“Unë jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj që përjetuam që të gjithë sonte. Ka qenë një ëndërr për të gjithë ne që të luajmë në këtë nivel. Ne kemi qenë së bashku tash e një muaj dhe kjo është një arritur e madhe. Unë mund të them se kjo është më shumë se sa një fitore”.

“Sidoqoftë ndeshja ishte mjaft e vështirë. Kjo edhe ishte arsyeja pse në çastet e fundit ne e përjetuam një rënie, por pjesa e parë, ku luajtëm shumë mirë, na ka motivuar dhe na kanë dhënë vullnet që këtë punë ta çojmë deri në fund”, deklaroi Berisha për Bota Sot.

“Pjesa e dytë ishte mjaft e vështirë, por fitorja është më se merituar. Unë mendoj se do të vazhdojmë me fitore edhe në takimet e radhës”.

“E shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë ata që besuan në ne, e posaçërisht i falënderoj tifozët ‘Dardanët’, por edhe të gjithë ata që na përcollën në palestër dhe nëpërmjet televizorit. Jam shumë krenar me gjithë atë që treguam në parket”, ka thënë Berisha.