Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka bërë thirrje për lirimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga autoritetet franceze.
Urdhër-arrestin e lëshuar nga Serbia në vitin 2004, në kuadër të së cilit është arrestuar ish kryeministri i Kosovës, Berisha e cilëson “mandat hakmarrës primitiv të qarqeve raciste dhe albanofobe të Beogradit”.
“U bëj thirrje autoriteteve franceze të mos bien në kurthet bizantine serbe që punojnë vetëm për destabilizimin e rajonit, por të lirojnë menjëherë zotin Ramush Haradinaj pasi të gjitha akuzat e stisura të Beogradit janë hedhur poshtë si fund e krye të pa vërteta nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, shprehet Berisha në reagimin e tij, përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Berisha po ashtu i bën “thirrje BE-së të ndërhyjë menjëherë dhe të dënoje ketë qëndrim destabilizues të Beogradit në rajon”./Albeu.com/