Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha ka bërë homazhe tek varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, për nder të “Epopesë së UÇK-së.
Ministri tha se ky përvjetor është më i veçantë pasi që festohet bashkë me ushtrinë e Kosovës.
“Jemi këtu për të nderuar të gjithë ata që vlerësuan se jeta e tyre, e familjes së tyre, faktikisht liria e vendit është më e shtrenjtë sesa jeta e familjes së tyre dhe komandantit legjendar, e familjes dhe të gjithë dëshmorëve tjerë që i nderojmë dhe i kujtojmë sot. E veçanta e këtij përvjetori është se ne kësaj radhe vijmë me një mandat të ri, me një mision të ri, vijmë si Ministri e Mbrojtjes dhe me mandat ushtarak, që ishte edhe synimi i këtyre që sot i kujtojmë”, tha Berisha.
Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku ka rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari dhe anëtarë tjerë të kësaj familje.
Për nder të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” sot Kuvendi mban një seancë solemne si dhe në orët e pasdites mbahet një akademi përkujtimore.
“Epopeja e UÇK-së”, përmbyllet nesër me Natën e Zjarreve në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.