Telegrafi

Berisha kërkon vendosjen e minimumit jetik 200 euro për person

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha thotë se vendosja e minimumit jetik 200 euro për person, është një akt që qeveria duhet ta marrë sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo sipas tij, nuk është një shifër që rëndon buxhetin e shtetit. Duke cituar një raport të Komisionit të Lartë të Shtetit (KLSH), Berisha tha se përgjatë 1 viti janë vjedhur 130 miliardë lekë. Në këto kushte, për Berishën, nëse vetëm 40 për qind e këtij fondi të kursehej, minimum jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm.

“Vendosja e minimumit jetik, llogaritur nga Avokati i Popullit dhe me ndihëm e ekspertëve, pra vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigja e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve.

PD ka dorëzuar në parlament ligjin për minimumin jetik, ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e këtij ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm, KLSH ka gjetur se në 1 vit qeveria ka vjedhur 130 mld lekë, nëse vetëm 40% e këtij fondi të kursehej, minimum jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm”, tha Berisha.

Në një konferencë për mediat, ai shtoi se votimi në parlament i këtij propozimi të bërë nga PD-ja është një detyrim, sidomos pas vendimit për të rritur pagat e deputetëve.

“Gur prove për të gjithë deputetët e parlamentit, është një akt me të cilin ata dëshmojnë ndjeshmërinë ndaj zgjedhësve shqiptar, por edhe një ndjesë publike për dyfishimin dhe rritjen stratosferike të deputetëve, akt i cili nuk mund të paqtohet nëse nuk bëhen disa votime të rëndësishme në favor të qytetarëve”, përfundoi Berisha. /Telegrafi/