Telegrafi

Përplasje në Kuvend, Berisha kërkon të flasë për vdekjen e 32-vjeçarit por nuk i jepet fjala

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është përplasur me drejtuesen e seancës së Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj të enjten.

Berisha kërkoi të merrte fjalën në kuvend, teksa komentoi vdekjen e 32-vjeçarit pas shoqërimit nga policia.

Ai kërkoi të mbahet një minutë heshtje, por Felaj i refuzoi fjalën nga foltorja.

Më herët, Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, Berisha shkruante se 32-vjeçari Laer Kurti u torturua shtazërisht në makinën e policisë dhe e dërguan pa ndjenja në komisariat.

Policia e Tiranës lajmëroi se një person i shoqëruar të mërkurën ka ndërruar jetë në spital pasi është ndjerë keq në ambientet e komisariatit.

Ngjarja nisi rreth orës 23:07 gjatë kontrollit të territorit, kur policët e komisariatit 3 i kanë bërë thirrje për të ndaluar 32-vjeçarit Laer Kurti i cili iku me vrap.

Policia e ka ndjekur më pas për ta ndaluar në rrugën “Don Bosko” e për ta shoqëruar në ambientet e komisariatit.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë, thuhet në njoftimin e policisë. /Euroneews Albania/