Berisha tha se do të respektojë institucionet, megjithatë tha se Garda Republikane nuk do të hetohet politikisht dhe kërkoi që kushdo që ka informacione për atë që ndodhi të premten, t’i dërgojë në prokurori dhe të shpërblehet për to. Për këtë çështje, Berisha kërkoi krijimin e një fondi shpërblimi për informuesit.
“Prokuroria të vijojë hetimet”, tha Berisha, duke nënvizuar në të njëjtën kohë se edhe Komisioni parlamentar për hetimin e 21 janarit filloi punën. Kryeministri theksoi se garanton bashkëpunim të plotë për të kompletuar të gjithë hetimin.
Berisha sulmoi përsëri kryeprokuroren e përgjithshme, Ina Rama, duke thënë se “zonja në krye të prokurorisë për të nderuar veten u tha shqiptarëve se nuk ka një padi për ata që i vunë zjarrin kryeministrisë”. “Ja akti i padisë që është bërë publik dhe që përfshin të gjithë organizatorët”, tha ai.
Kryeministri tha se i ka bërë akuzat “për një transparencë të domosdoshme ndaj qytetarëve dhe jo si atak ndaj institucioneve”. /Telegrafi/