Ish-kryeministri Sali Berisha ka organizuar këtë të enjte takimin e parë me mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.
Takimi i Berishës vjen pas vendimit të kryetarit të PD, Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.
Berisha thotë se do të zhvillojë një tur takimesh që nis sot nga Tirana, për atë që ai e ka cilësuar “rikthimi i sovranitetit për PD”.
Të pranishëm mes mbështetësve të Berishës janë edhe deputetë të grupit parlamentar të PD.
Takimi mbahet në një kohë kur në Parlament pritet miratimi i qeverisë së re “Rama 3”.
Të pranishëm në sallën ku po mbahet takimi janë deputetët Flamur Noka dhe Tritan Shehu si dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.
Berisha e cilësoi këtë tur takimesh si hapin më të rëndësishëm pas themelimit të PD. Ai e cilësoi kreun e mazhorancën qeverisëse, Edi Rama si të lidhur me krimin e organizuar.
Ndonëse takimi mbahej në kuadër të përjashtimit të tij nga grupi i PD, Berisha e nisi fjalimin e tij në sulme ndaj kreut të mazhorancës.
“Kjo foltore nis në një moment më kritik se çdo kohë tjetër për Shqipërinë. Sot në Parlamentin shqiptar betohen për të tretën herë kreu i Meduzës së krimit të organizuar” tha Berisha.
Iniciativën “Open Balkan” e cilësoi si përpjekje për të rikthyer Jugosllavinë. Berisha e cilësoi Ramën si “vasal” dhe “argat” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe shtoi se e ka shndërruar Shqipërinë në epiqendrën e luftës së ftohtë ndaj Kosovës.
Të pranishëm në sallën ku po mbahet takimi janë deputetët Flamur Noka dhe Tritan Shehu si dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.
Berisha u shpreh se “PD është në gjendjen më kritike që prej krijimit të saj” duke shtuar se “ka 8 vjet që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimi”.
“Ka humbur çdo aksion, ka 8 vjet që shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe nuk i del zot. Ka 8 vite që kalon nga disfata në disfatë. Humbi zgjedhjet e fundit, vodhi dhe grabiti dy herë më shumë se sa në 2017. Nëse Rama nuk i fitoi, PD nuk i fitoi zgjedhjet . Nuk mund të them atë që nuk është”, tha Berisha.
Ish-kryeministri shprehur rezerva ndaj Bashës duke thënë se “vetëm 1/5 votave ishin për kryetarin” dhe shtoi se duhet të japë dorëheqjen.
Berisha tha se PD ka marrë mbi 70 mijë vota më pak se sa në 2013 duke rrëzuar pretendimin e Bashës se PD ka rritje. Ai e akuzoi se për të mbrojtur karrigen e kryetarit mashtroi mbështetësit.
“Humbe dy herë zgjedhjet dy herë duhet të ikësh”, tha Berisha.
“Mos votoni asnjëherë një humbës, nuk u çon asnjëherë në fitore. Votoni një tjetër se nëse nuk u çon i dyti, mund t’u çojë i treti por humbësi kurrë”, tha Berisha.
Për shpalljen “non grata” e cilësoi një vendim me prapavijë politike dhe tha se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit është marrë me ndërhyrje nga jashtë. Berisha tha se nuk e pranon këtë vendim ndaj nuk do të pranojë që të largohet nga Parlamenti.
“Në një akt të pashembullt në historinë e një vendi dhe të një shteti diktatorial apo demokratike, pa pyetur asnjë njeri del dhe komunikon përjashtimin e Sali Berishës nga grupit parlamentar duke i futur një thikë pas shpine të gjitha parimeve mbi të cilat është ngritur PD”, shtoi Berisha.
Berisha tha se Basha pranë të huajve ka pretenduar se vendimet në PD nuk janë marrë prej tij.
“Ka deklaruar fshehtas tek të huajt që vendimet nuk i marr unë por Berisha”, u shpreh ish-kreu i PD duke shtuar se të gjitha vendimet kanë qenë të Bashës.
Ish-kryeministri tha se gjatë 8 viteve ka ndodhur spastrimi i mbështetësve të tij nga PD duke shtuar se në 2017 Basha “ekzekutoi” eksponentët kryesor të PD pa u thënë asnjë fjalë.
Berisha shprehu kritika për vendimet e kaluara të PD duke nisur nga marrëveshja me PS në 2017 dhe deri tek djegia e mandateve.
“jemi këtu për t’u betuar për shpëtimin e PD. Do e shpëtojmë PD me norma dhe standarde demokratike. Dy fjalë për miqtë në grupin parlamentar ose në këshillin Kombëtar. Keni të drejte që të thoni se të përjashtohet Berisha, por mos pranoi shkeljen e statutit. Kur një fakt i vetëm të dalë Berisha është i gatshëm të marrë çdo vendim”, tha ai.