Site icon Telegrafi

Berisha: Isa e Hashimi besuan verbërisht se Beogradi do ta lejojë formimin e ushtrisë

Deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha duke folur për mos formimin e ushtrisë së Kosovës ka thënë se një faj të madh për vonesën e kësaj pune e kanë presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa.

“Zhagitja e formimit të ushtrisë ka ndodhur se Isa dhe Hashimi verbërisht kanë besuar se Beogradi do japë dritën e gjelbër. Mirëpo edhe qytetari më laik e ka kuptuar se Beogradi ka tjera synime për Kosovën. Ne jemi të atakuar shumë seriozisht nga Beogradi, dhe strukturat kriminale shoviniste të atjeshme po e sulmojnë shtetin e Kosovës”, tha deputeti Berisha, në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ai ka thënë se tashmë dihen edhe publikisht qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës.

“Opinioni i gjerë e di se çfarë pretendimesh ka Serbia ndaj Kosovës, por ne s’duhet të kujdesemi që të mos lëndohet Serbia. E kemi obligim ndaj qytetarëve të Kosovës që të avancohet siguria. Duhet të përqendrohemi në atë që është reale dhe që është e mundshme”, tha Berisha.

Sipas tij, formimi i ushtrisë së Kosovës duhet të ndryshohet misioni i FSK-së, nga mision civil në ushtarak.

“Shndërrimi i FSK-së në FAK s’bëhet brenda 24 orëve, por ne duhet filluar e ende as nuk e kemi nisur. Nëse nuk fillojmë tash, edhe për shumë vjet s’do ta kemi FSK-në FAK”.

Berisha ka thënë se ushtria e Kosovës do të kujdeset njëlloj, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët.

“Aktualisht në FSK ka minoritete serbe e ka edhe në hierarkinë e saj. FSK-ja që do të shndërrohet në FAK  do të kujdeset edhe për sigurinë e qytetarëve serbë”.

“Nuk besoj që as edhe mendja i shkon dikujt që të formojmë një ushtri e cila nuk e mbron një komunitet të caktuar në vend. Ushtria iu shërben gjithë qytetarëve të këtij vendi”.

Deputeti Berisha që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se agresionit të Serbisë në Kosovë duhet të i kundërvihet në mënyrë diplomatike.

“Nëse ne vazhdojmë që të dërgojmë palë në Bruksel për të diskutuar për problemet që bën qeveria, agresionit s’i japim fund”, tha Berisha. /Klan Kosova/

Exit mobile version