Site icon Telegrafi

Berisha: Gati pas dy javësh për Flamurtarin

Berisha vlerëson afrimet e realizuar dhe në një prononcim për “Panorama Sport” futbollisti kosovar thekson se Flamurtari po hedh bazat e një ekipi potent për vitin e ardhshëm.

“Pjesa e parë e kampionatit nuk ka ecur mbarë për Flamurtarin. Gjatë merkatos së dimrit, kanë ardhur lojtarë cilësorë. Në këto kushte, unë dhe të gjithë shokët besojmë se në pjesën e dytë të kampionatit do të arrijmë atë për të cilën kemi ardhur në Vlorë. Duhet të ringremë sa më shumë Flamurtarin dhe të bëhemi më të fortë për vitin e ardhshëm. Ekipi do ta tregojë forcën e vet në ndeshjet në vijim dhe ne jemi në fazën e konsolidimit të grupit. Ndaj Teutës u pa qartë se ekipi ka aftësi dhe di të zbatojë detyrat e dhëna nga trajneri. Pra, po ngrihet një ekip me baza të shëndosha për sezonin e ardhshëm”, tha fillimisht Berisha.

Kupa

Mbrojtësi e shikon më se të arritshëm objektivin për Kupën e Shqipërisë. “Patjetër që Kupa e Shqipërisë është e arritshme nga ne. Kemi zhvilluar vetëm një ndeshje dhe çdo gjë mund të realizohet, pasi në atë sfidë u bë një lojë e mbyllur dhe pa shumë raste. Pësuam një gol, por ka ende shpresë. Ne kemi cilësi në ekip dhe jemi në një moment të mirë si nga ana fizike, ashtu edhe psikologjike. Të gjithë kanë dëshirën dhe mundësinë për të bërë më të mirën. Jam i bindur se do të arrijmë të kualifikohemi për më tej për Kupën e Shqipërisë, duke mundur Tiranën në ndeshjen e kthimit”, shprehet kosovari.

Dëmtimi

Ka qenë jashtë fushave për shkak të krisjes së gishtit të këmbës dhe aktualisht lëviz me paterica.

“Dëmtimi është pjesë e jetës së futbollit. Ndodhi një fatkeqësi, por për fat të mirë nuk është dëmtim i rëndë, kështu që pritet shumë shpejt të jem në fushë. Të shikojmë se si do të ecë rikuperimi. Kanë kaluar dy javë, them se duhet të kalojnë edhe dy javë të tjera për të qenë gati. Ky është parashikimi i mjekëve. Të shikojmë, dita-ditës po bëhet më mirë. Dëmtimin e mora gjatë një seance stërvitore, ku rashë në tokë pas një kërcimi në ajër. Lëndimi mund të shkonte edhe më keq, por pata fat në atë rast dhe shpresoj të jetë dëmtimi i fundit”, shprehet Berisha. 

Exit mobile version