Site icon Telegrafi

Berisha: Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë që të mos t’ju mungojë më asnjë vakt

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga dritarja e ballkonit, ku gjendet në arrest shtëpie, ka kërkuar qeveri teknike.

Ai ka bërë disa premtime elektorale për qytetarët.

Premtimi i parë i deklaruar nga Berisha ka qenë pagesa për çdo fëmijë, por pa dhënë më shumë detaje mbi shumën, apo se si do të funksionojë skema për mbështetjen e familjeve.

“Miqtë e mi, këto janë detyrime ligjore kushtetuese, por për Shqipërinë janë dy herë më të mëdha sepse këto janë gjithashtu faktorë që largojnë dhe largojnë shqiptarët nga Shqipëria.

Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë, në mënyrë që kurrë më fëmijëve shqiptarë të mos u mungojë të gjitha vaktet njëlloj si fëmijët e vendeve të tjera të Europës. Ndaj dhe thirrja ime për çdo shqiptar, të vendosim ndryshimin, të ngrihemi për ndryshimin.Të ngrihemi për qeveri teknike”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, ai ka premtuar gjithashtu që me anë të buxhetit të shtetit do mbulohet lista e barnave, më shumë se çdo vend tjetër në Europë.

“Dhe se buxheti i shtetit do të mbulojë në Shqipëri listën më të zgjeruar të barnave se të çdo vendi tjetër në Europë. Po miqtë e mi, nuk do pranojmë kurrë që shqiptarët të paguajnë nga xhepi i tyre si sot, 60 përqind të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor.

Ju garantoj se me një program të përpiktë, këto shpenzime do të jenë 50 përqind më të ulëta. Këto shpenzime do përgjysmohen. Garantoj se do të vendoset ligji më i rreptë për importet e helmeve bujqësore dhe blegtorale. Do vendoset kontrolli më i rreptë për përdorimin e tyre. Do bëhet gjithçka që prodhimet tona bujqësore të jenë prodhimet më të shëndetshme të standardeve më të mira”, përfundoi Berisha.

Exit mobile version