Në kuadër të margjinave të Forumit Ndërkombëtarë të Sigurisë në Halifaks të Kanadasë, ministri i FSK-së Rrustem Berisha u takua me ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, Juri Luik, me të cilin biseduan për sfidat e rajonit dhe vlerat euro-atlantike që ndajnë të dy vendet.
Ministri Berisha ka falënderuar ministrin Luik për kontributin e këtij shteti në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Ai ka theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Estonisë, si dhe shtyrjen para të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy ministrive përkatëse.
Gjithashtu, ministri Berisha, kërkoi që Estonia të jetë një zë përkrahës drejt synimeve strategjike të Republikës së Kosovës. Ai në këtë takim kërkoi që oficerët dhe pjesëtarët e MFSK-së dhe FSK-së të kenë qasje në shkollim në Kolegjin Baltik të Mbrojtjes në Estoni.
Ndryshe, Forumi Ndërkombëtar për Siguri në Halifaks mbahet për herë të nëntë dhe mbahet një herë në vit, me fokus të bashkoj liderë të shteteve dhe personalitetet më të larta nga shumë vende të botës.
Forumi synon bashkëpunimin strategjik midis shteteve demokratike në botë. Pjesëmarrësit që mblidhen në Halifaks për çdo nëntor, përfaqësojnë më shumë se 60 shtete dhe mblidhen më shumë se 300 pjesëmarrës.
Në Konferencën në Halifaks, ministri Berisha do të flasë për perspektivën aktuale të Kosovës në sfidat më të cilat përballet rajoni ynë në fushën e sigurisë.
Forumi Ndërkombëtar për Siguri në Halifaks është i njohur si një vend takimi vjetor, i cili krijon hapësirë që vendimmarrësit të gjejnë bashkërisht zgjidhje për rreziqe dhe kërcënime me të cilat përballet bota demokratike. /Telegrafi/