Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka reaguar pasi Qeveria e Malit të Zi ka nënshkruar marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.
Berisha, e ka quajtur mashtrues kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke thënë se ka ardhur në pushtet sikur Kurti në Kosovë, përmes parullave antikorrupsion e qeverisje të mirë.
“I maskuar nën petkun e orientimit qytetar, e ndërton URË me Kishen Ortodokse Serbe, që pa hyrë në detaje tjera, nuk e njehë Malin e Zi si shtet, nuk e njehë kombin malazez ashtu siç nuk e njehë as shtetin e Kosovës”.
“Ky mashtrues ashtu sikurse edhe prototipi i tij Kurti në Kosovë që përmes parullave antikorrupsion e qeverisje të mirë e marifeteve të tjera erdhën në pushtet, në fakt është bërë kryeministri i parë i Malit të Zi që e godet në traditë shtetin që përkrahu shqiptarët gjatë luftës në vitet ‘98-99 dhe që, në rrethana të ndërlikuara, njohu Kosovën si shtet të pavarur”, deklaroi Berisha.
Tutje, ai e ka përkrahur iniciativën e presidentin Milo Gjukanoviq për rrëzimin e Abazoviqit.
“E përkrahë plotësisht iniciativën e presidentit Gjukanoviq për rrëzimin e të ashtuquajturit shqiptar Abazoviq nga pozita e kryeministrit i cili qartazi shfrytëzoi pozitën për realizimin e interesave serbomëdha duke e goditur me thikë pas shpine shtetin e vet”.
“Për fat të keq në këta shekuj kemi pasur me bollëk kryevezira të këtij lloji”, shkroi Berisha në Facebook.