Telegrafi

Berisha e akuzoi për katër kontrata të dyshimta, përgjigjet Durmishi: Boll keni vjedhë Bekë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka ftuar të premten Prokurorinë e Shtetit të nisë hetimet për katër kontrata publike kornizë të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për siç thuhet mirëmbajtje të autostradave, në këtë rast për autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.

Deputeti nga kjo parti, Bekë Berisha, në një konferencë për media ka thënë se vlera e këtyre kontratave të dyshimta për korrupsion është mbi 400 mijë euro, të nënshkruara nga zëvendësministri Hysen Durmishi dhe nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.

Lidhur me këto akuza është deklaruar Durmishi, i cili i ka mohuar ato duke thënë se kontratat që ka përmendur Berisha kanë vlerën e 12 milionë eurove.

“Ja kish dhënë dikush do letra Bekë Berishës e ky i shkreti nuk dinte as me i lexu. Nuk i kam nënshkrua katër kontrata në vlerë rreth 400 mijë euro o Bekë Berisha sepse me ligj zv. Ministri nuk nënshkruan kontrata nën vlerën 500 mijë euro. Ato katër kontrata që po i përmend ti e kanë vlerën 12 milion euro”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ka thënë se Ministria e Infrastrukturës kishte të planifikuara 16.5 milion euro për mirëmbajtjen e autoudhëve dhe më pas ka arritur që të nënshkruajë kontrata për vetëm 12 milion euro.

“Ky do të duhej të ishte lajmi në fakt. Nuk ka me vjedhë më Bekë. Boll keni vjedhë Bekë Berisha”, ka shtuar Durmishi. /Telegrafi/