Site icon Telegrafi

Berisha: Dosja e Lulzim Bashës do hapet nga FBI-ja

Dosja e “Nick Muzin”, për të cilën është hetuar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të hetohet një ditë nga FBI-ja në Tiranë, kështu deklaroi ish-kryeministri, Sali Berisha.

“Mister brava është deputeti i vetëm që është me dosje kombëtare dhe ndërkombëtare, nga të cilat e siguroj që nuk do të dalë dot me gjithë mbështetjen e fuqishme që ka nga pengmarrësit e tij, sepse dosja ‘Nick Muzin’, ajo mbyllet këtu por nuk mbyllet në vendin e madh të lirisë. Atë, FBI-ja do ta hapë në kohën e duhur”.

“Dosja ‘Nick Muzin’ në Shqipëri, në të cilën Lulzim brava po hetohej në larje parash, u mbyll nga Edi Rama. Nuk mbyllet ajo dosje sepse ka firmosur vetëm njëri prokuror, s’ka firmosur tjetri”.

Ish-kryeministri ka vijuar akuzat ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për projektin e Portit të Durrësit, për të cilin, Sali Berisha thotë se do të përdoret për pastrim parash.

“Afera e tmerrshme e Portit të Durrësit e ndjek dhe do ta ndjekë Lulzim bravën aq sa do të ndjekë Edi Ramën. Porti i Durrësit, që u paraqit në fillim se do të jetë kompania Emaar, zbuloi qartësisht aleancën e bazuar në krimin dhe drogën e Edi Ramës dhe Lulzim bravës. Lulzim brava rezulton se menaxheri i kompanisë familjare ishte njëkohësisht menaxher i kompanisë së Emaarit në Shqipëri”.

“Lulzim brava, me zëdhënës të tij, i ka bërë thirrje Edi Ramës që ta zgjidhë këtë problem me opozitën. Dhe së fundmi një emërim i përbashkët, drejtori i kufirit të Portit të Durrësit është ish-drejtori i policisë të Xibrakës, është Nallbati i famshëm, por është dhe gjysmë baxhanak shumë i dashur i Lulzim bravës”, u shpreh Sali Berisha për Klan News.

Exit mobile version