Berisha tha se në Shqipëri ka ekzistuar për vite me radhë muri i krimit të organizuar dhe muri i korrupsionit. Pa shembur këtë mur, nuk mund të bëhej liberalizimi i vizave, tha kryeministri.
Kryeministri tha se qeveria ka dyfishuar të ardhurat nga buxheti i shtetit edhe pse në kohë krize dhe se universitetet e vendit kanë tre herë më shumë studentë sesa pesë vjet më parë.
Qeveria siguron vendet e Evropës se nuk do të ketë asnjë problem me shqiptarët, tha Berisha duke shtuar se më 8 maj kur do të mbahen zgjedhjet lokale, do të marrë fund sistemi i 20 përqindëshit.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Ruçi, theksoi se kjo qeveri nuk duhet të presë lëvdata nga opozita dhe se në çdo vend opozita duhet të korrigjojë gabimet e qeverisë.
Ngjarje të rënda kanë tronditur opinionin publik, tha Ruçi duke folur për zhvillimet e fundit në vend. Qytetarët shqiptarë janë të përmbytur në të gjithë vendin, tha ai, duke theksuar se qeveria duhet të mendojë pse Evropa i tha po qytetarëve shqiptarë dhe jo qeverisë. /Telegrafi/