Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti sot komandantin e Gardës Kombëtare (GK) të Ajovës gjeneral majorin Timothy Orr, i cili shoqërohej nga një delegacion i gjerë civil dhe ushtarak nga Ajova dhe koloneli Jeffrey H. Fisher, atashe i Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA-ve, në Prishtinë.
Ministri Berisha me këtë rast vlerësoi lartë shkallën e bashkëpunimit të gjerë dhe intensiv në kuadër të partneritetit në mes MFSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke theksuar se sukseset e arritura të FSK-së janë edhe meritë e bashkëpunimit.
Berisha e theksoi faktin se FSK vazhdon të jetë institucioni më i besuar i sigurisë në vend, kjo besueshmëri tash ka trend pozitiv edhe te qytetarët serb të veriut, duke prezantuar suksesin e FSK-së në integrimin e komuniteteve pakicë, në veçanti të komunitetit serb nga veriu i Kosovës.
Ai po ashtu ka folur për përfaqësimin gjinorë në FSK, duke theksuar faktin se nga marsi i këtij viti FSK për herë të parë ka një femër me gradën e gjeneralit.
Ministri me këtë rast ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës në ushtrimin fushor “Shqiponja -6”, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlershëm si në fazën e përgatitjes së ushtrimit, po ashtu edhe tash në ekzekutimin e tij, duke theksuar shkallën e lartë të ndërveprueshmërisë me pjesëtarët e FSK-së.
Nga ana e tij, komandanti i Gradës Kombëtare gjeneral major Timothy Orr është shprehur se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e tij të dytë. Siç thuhet në njoftim ai ka përgëzuar ministrin për rezultatet e deritashme, sidomos ka vlerësuar lartë integrimin e komunitetit serb në FSK dhe rritjen e besueshmërisë në veri të vendit.
Ai po ashtu ka falënderuar ministrin Berisha për mundësinë e pjesëmarrjes në ushtrimin fushor “Shqiponja 6”, të pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës, që përveç kontributit dhe rëndësisë së rritjes së ndjenjës së bashkëpunimit është edhe një përvojë e re për ata në koordinim me partnerët në situata emergjente.
Po ashtu komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Timothy Orr pati takim të ndarë edhe me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ku u bisedua për zhvillimet në FSK-së, përgatitjet e planeve për transformim dhe sfidat aktuale që po has ky proces.
Komandanti i FSK-së e njoftoi gjeneralin Orr për rrjedhat e ushtrimit fushor “Shqiponja 6” duke theksuar se ai po zhvillohet mirë. /Telegrafi/