Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha takoi sot ambasadorin e Suedisë, Henrik Nilsson, me të cilin biseduan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, gjegjësisht për bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Suedisë.
Berisha e falënderoi ambasadorin Nilsson për kontributin që ka dhënë Suedia për Kosovën, për mbështetjen që i ka dhënë FSK-së në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të kërkim- shpëtimit të FSK-së dhe Qendrës së Trajnimit për Kërkim –Shpëtim dhe në fusha tjera, përmes oficerëve të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për MFSK/FSK-në si dhe për kontributin e kontingjenteve ushtarake suedeze në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Ndërsa, ambasadori suedez, Henrik Nilsson në fillim i dorëzoi ministrit Berisha një letër të adresuar për të nga ministri i Mbrojtjes së Mbretërisë së Suedis, në të cilën shprehte falënderimin për ngritjen e monumentit në Prishtinë për ushtarët e NATO-s dhe të KFOR-it si mirënjohje dhe nderim për kontributin e tyre për lirinë e vendit dhe ruajtjen e paqes në Kosovë nga viti 1999 e deri më 2018.
Në fund, ministri Berisha dhe ambasadori Nilsson shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e tij dhe të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, dy ministrive dhe të dyja forcave edhe në të ardhmen. /Telegrafi/