Site icon Telegrafi

Berisha: Burg përjetë për shtazët që vranë 17-vjeçarin në Sharrë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se, së bashku me deputetë të tjerë, do të marrë një nisëm ligjore për të dënuar me burgim të përjetshëm autorët e akteve, si ai i vrasjes së 17-vjeçarit në fushën e përpunimit të mbetjeve në Sharrë (Tiranë).

“Ata që e varrosën Arditin, ndofta edhe të gjallë në plehrat e Sharrës, për të zhdukur gjurmët e krimit të tyre makabër, janë më shtazë se sa çdo kafshë e egër, të cilat në instikt fshehin viktimën e tyre. Por ato ndërgjegje nuk kanë. Kurse këta që e shtypën Arditin me buldozer, në vend që ta çonin menjëherë në spital apo qoftë dhe në familjen e tyre, zgjodhën ta ekzekutojnë për së dyti, ta groposin në plehrat e Sharrës për të kryer një krim të formës më shtazore, më të egër, më të shëmtuar dhe për të na dëshmuar se sa e pakufishme është ligësia e tyre shpirtërore”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Ish-kryeministri i bëri thirrje prokurorisë së shtetit të bëjë gjithçka për gjetjen dhe vendosjen para ligjit të tij dhe të gjithë atyre që janë të implikuar në këtë vrasje makabre. “Duke i shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së të ndjerit Ardit Gjoklaj, dua të informoj publikun se në sesionin që vjen, së bashku me deputetët e tjerë do marrim inisiativën ligjore që autorët e akteve të tilla shtazore me ligjin e ri të mbeten në qeli gjithë jetën e tyre!”, u shpreh Berisha.

Exit mobile version