Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha në fjalën e tij para deputetëve ka ngritur si shqetësim sigurinë në Kosovë.
Ai tha se qytetarët nuk po janë të sigurt as në shtëpinë e tyre.
“Futja e hajduteve me maska nëpër shtëpi të qytetarëve në Prizren, ka pasojë traumat e fëmijëve dhe personave tjera. Vjedhja e kryeprokurorit të shtetit është tregues i qartë se deri ku ka degraduar siguria në Kosovë. Qytetarët nuk janë të sigurt në shtëpi të tyre. Kemi qindra shtëpi dhe biznese që çdo natë vidhet deri tek shtëpitë e deputetëve ku familjarët kanë përfunduar në spital. Qytetarët janë të pasigurt në Kosovë. Në shkolla ka therje e rrahje. Në punë jemi të pasigurt. Nëpër spitale jemi të pasigurt. Nëpër burgje kemi rastin e Astrit Deharit dhe në duart e institucionit të shtetit jemi të pasigurt”, tha Berisha.
Ai ka folur edhe rreth produkteve me afat të skaduar që konsumohen nga qytetarët e Kosovës.