Telegrafi

Berisha: Biznesi italian do të investojë dhe 3 miliardë euro të tjera

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se, “kjo dit është e madhe pasi ne kemi këtu një mik të madh të Shqipërisë. Kemi një mik i cili e ka dashur dhe e do vendin dhe kombin tim. Shqiptarët kanë tek Silvio Berluskoni, mikun e tyre më të mirë”.

Kryeministri i Shqipërisë tha se, “e kam takuar shpesh Berluskonin, por takimi i sotëm më jep një kënaqësi të madhe pasi, para jush kemi nënshkruar kontrata me vlerë 2 miliardë euro, por siç i thashë dhe mikut tim, janë dhe 3 miliardë euro, nga kompanitë italiane që janë gati për të investuar në Shqipëri dhe që do të firmosen së shpejti”.

“Në vizitën time në Itali të bërë pra tre vitesh u zotova para biznesmenëve italianë se, do të bëja gjithçka që ta bëja Shqipërinë, një vend shumë të mirë për investimet e tyre dhe më në fund ja dolëm të gjithë së bashku”, tha Berisha.

Ai tha se, “sot për ne është shumë i madh inkurajimi që na japin investuesit italianë që vijnë e investojnë në këtu”.

Në fjalën e tij, Berisha tha se, “janë bërë reforma të shumta dhe ne kemi taksat më të ulëta në Evropë. Kemi ngritur dhe sportelet unike që bizneset të regjistrohen për 30 minuta, në të gjithë vendin. Po krijojmë dhe lehtësira të tjera, për të tërhequr investime”.

“Në pikëpamjen time, Shqipëria do të bëhet një superpotencë në rajonin e Ballkanit.

Kemi 20 miliardë kilovat energji që duhet të shfrytëzohen. Jemi në proces për energjinë nukleare dhe tek Italia gjejmë partnerin e parë për këtë gjë. Kemi diskutuar dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe për të tërhequr biznesin italian me qëllim që të vijnë të investojnë. Vendi im ka nevojë q ëtë vazhdojë bashkëpunim me Coperazione Italiane, që ka dhënë ndihmë të madhe në të gjithë vendin dhe fushat. Bujqësia ka nevojë për një mbështetje të fuqishme nga Italia. Në vendin tonë, 40 për qind jeton në fshat”.

“Që të dy ne e duam përjetësinë dhe ulliri është pema që e simbolizon këtë”, shtoi Berisha.