Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi se beteja e opozitës nuk do të jetë vetëm në Parlament, por edhe në rrugë dhe sheshe.
“Parlamenti de facto me këto gjëra është i asgjësuar. Por ne do vazhdojmë betejën tonë në parlament, në salla, në rrugë, në sheshe. Do bëjmë gjithçka për të justifikuar pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës”.
Sa i përket sulmeve kibernetike në vend, Berisha u shpreh se ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor dhe se çdo sekret apo e fshehtë sot është në treg.
“Sot, në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pa kërkuar, pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri, sot, ortakët e tyre, hyjnë në parlament, hyjnë në qeveri, hyjnë në institucione. Po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata, me akte malavite, krahasuar me ministrat dhe kryeministrat me firma e dokumente zyrtare, ato janë thërrime”.
Gjithashtu lideri i PD-së, u ndal edhe të vendimi i qeverisë për sekuestrimin e shtesave të pallateve të ndërtuara pa leje, duke akuzuar kreun e qeverisë se po merr kompetencat e Parlamentit.
“Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e amnistisë”.
Berisha ndërkohë ngriti akuza dhe ndaj KESH, ku sipas tij ka 1 miliard euro investime të regjistruara, por që sipas tij, nuk janë kryer as 100 milionë euro punime./TV Klan