Është dashur të vije xhiro e tetë në elitën e futbollit spanjoll La Liga që Barcelona të pësoj humbjen e parë në kampionat, pasi kishin shtatë fitore radhazi.
Deri te kjo humbje erdhi pasi trajneri Hansi Flick bëri gjashtë ndryshime nga ekipi i tij që mundi Villarreal 5-1 javën e kaluar përpara ndeshjes kundër Osasuna dhe sigurisht që nuk ishte e lehtë pa gjashtë titullar.
Hansi Flick ka marrë përgjegjësinë për disfatën në udhëtim te Osasuna 4-2.
“Është përgjegjësia ime të kujdesem për lojtarët, dhe disa prej tyre kishin luajtur shumë minuta. Pushimi i tyre ishte i nevojshëm,” tha Flick.
“Pas pushimit ndërkombëtar, shumë lojtarë do të kthehen, do të kemi më shumë për të zgjedhur. Rrotullimet e shumta nuk janë justifikim, por ne nuk kishim zgjidhje tjetër”.
Culers in Pamplona 🫶 pic.twitter.com/gpT2SW7aEW
— FC Barcelona (@FCBarcelona) September 29, 2024
“Nuk ishte një lojë e mirë. Ne bëmë shumë gabime dhe bëmë shumë rrotullime me ekipin dhe ndoshta kjo është një arsye pse, por ato ishin të nevojshme, ka shumë ndeshje dhe shumë minuta të grumbulluara”.
“Duhet ta pranojmë këtë humbje. Nuk luajtëm mirë. Unë marr përgjegjësinë. Nëse doni të fajësoni dikë, më fajësoni mua. Unë bëra gabime. I luaja më shumë lojtarët dhe tani duhej t’i pushonim”, deklaroi trajneri gjerman i Barcelonës.
Përkundër humbjes në udhëtim, Barcelona mbetet lider në La Liga me 21 pikë. /Telegrafi/