Dukagjini i Klinës është eliminuar në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.
Skuadra klinase u ndesh me gjigantin kroat Rijeka, ku në Prishtinë pësuan me rezultat minimal 0-1, derisa në Kroaci u mposhtën me rezultat 6-1.
Sikur mos të kishin Kenan Haxhihamzën në portë, Dukagjini ka mundur të pësoj debakël që nuk do të harrohej kurrë.
Portieri nga Rahoveci ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë sfidë, përkundër se pësoi pesë gola (i gjashti u pësua nga portieri rezervë Altik Muhaxhiri), ka bërë pritje të jashtëzakonshme në stadiumin e kroatëve.
26-vjeçari ka bërë plot 14 pritje në këtë takim, që është një rekord evropian pasi asnjë portier në këtë rreth të garave nuk ka pritur më shumë brenda një ndeshje.
https://twitter.com/kosovo_49/status/1687562194584748033?s=20
Paraqitja e jashtëzakonshme bëri që në momentin e zëvendësimit të Haxhihamzës, mbi gjashtë mijë tifozë u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën atë për shfaqjen e treguar.
“Isha shumë nervoz për shkak të rezultatit, por në atë moment kur kamë parë të gjithë tifozët në këmbë duke më duartrokitur ka qenë një ndjenjë e papërshkruar. Nuk e kisha menduar se do të merrja duartrokitjet nga tifozët kundërshtarë”, tha Haxhihamza për Telegrafin.
“Rezultati nuk ishte ai që donim, pasi pësuam gola të shumtë, megjithatë nuk do ta harrojë kurrë atë moment kur u zëvendësova në fund të ndeshjes dhe mora duartrokitjet, do të mbetet gjithmonë në mendjen time”, tha portieri rahovecian.
Haxhihamza ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm edhe në Superligë, ku arriti falë pritjeve të tij ta dërgonte Dukagjinin në vendin e katërt në tabelë dhe të merrnin pjesë për herë të parë në garat evropiane.
Megjithatë kontrata e tij ka skaduar pas ndeshjeve evropiane dhe shumë oferta ka në adresë të tij.
“Tani jam pushim, por ofertat nuk kanë munguar. Këto ditë do të ulem t’i shqyrtojë ato. Sigurisht që së pari ofertën e Dukagjinit, pastaj edhe të skuadrave të tjera”, tha Haxhihamza.
Por a pret portieri rahovecian ofertë nga ndonjë klub kroat pas asaj paraqitje spektakolare në Rijeka Stadium?
“Nuk e di. Do të ishte fantastike të vinte ndonjë ofertë, por ndoshta rezultati e prish. Përkundër se paraqitja individuale ka qenë e kënaqshme”.
“Natyrisht secili futbollist nga Kosova do të donte të luante në Evropë dhe nëse do të vinte ndonjë ofertë nga Kroacia do të isha shumë i lumtur”, tha Haxhihamza për Telegrafin.
Ish-portieri i Gjilanit dhe Ballkanit ishte shpallur portier i sezonit edhe nga redaksia e sportit në Telegrafi, pas një viti të jashtëzakonshëm që kishte. /Telegrafi/