Telegrafi

Baerbock: Bllokimi i hyrjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen është një ditë e keqe për Evropën

Bllokimi i hyrjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Shengen është një “ditë e keqe për Evropën”, tha sot Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Dy anëtarëve ballkanikë të Bashkimit Evropian u është mohuar sot qasja në zonën e BE-së ku është e mundur lëvizja e njerëzve pa pasaportë, pas kundërshtimeve të udhëhequra nga Austria, raporton reuters.

“Deri në momentin e fundit, ne luftuam për të siguruar pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen”, tha kryediplomatja gjermane, raporton dw.

Ajo theksoi se një vendim i tillë është më se i gabuar, jo vetëm në kuadrin evropian, por edhe nga pikëpamja gjeopolitike.

“Në vend që të jemi krenarë që bëmë diçka të mirë për Evropën, duhet të pranojmë se kjo është një ditë e keqe për bashkimin tonë”, tha ministria e Jashtme gjermane.

Ndryshe, Kroacia mori mbështetje unanime dhe do t’i bashkohet Zonës Shengen që nga janari i vitit 2023. /Telegrafi/