Vëllai i veprimtarit të zhdukur të LDK-së, Ismail Bërbatovcit, Nazmi Berbatovci ka thënë se nuk beson se Gjykata Speciale, do ta ndriçojë rastin për vëllain e tij.
Ai ka thënë se është ftuar nga Gjykata Speciale, për të dhënë dëshmi për vëllain e tij.
“Nuk kam aspak besim në Gjykatën Speciale se do të zbardhet fati i tij. Kjo gjykatë është themeluar shumë vonë, nuk shpresoj sa nuk kam shpresuar në gjykatat tona, nuk kam ngritë kallëzim penal, s’kam pasur fakt, as dëshmi. Nuk besoj që Gjykata Speciale ta ndriçojë rastin e vëllait tim”, ka thënë ai.
Berbatovci, në RTV Dukagjini, ka thënë se me 28 korrik të vitit 1998 është njoftuar nga një kushëri që ishte pjesëtar i logjistikës në UÇK-së se vëllai është ndaluar nga UÇK-ja për një bisedë informative.
Ismail Berbatovci ishte korrespondent i gazetës së përditshme me seli në Prishtinë Rilindja dhe kryeredaktor i revistës mujore “Fjala Jone”, ai gjithashtu shërbeu si shef i zyrës lokale të Qendrës Informative të Kosovës (QIK), një media e ndërlidhur me partinë politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës.