Muzeumet në Qendrën Kombëtare të Muzeve, Berat – Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik, për periudhën 31 korrik – 27 gusht që korrespondon me pikun e sezonit turistik të verës, u vizituan nga 6 585 vizitorë vendas dhe të huaj.
Përmes një njoftimi të Qendrës Kombëtare të Muzeve Berat bëhet e ditur se ditët me fluksin më të lartë të vizitorëve janë fundjavat, ndërsa dita rekord për numrin e vizitorëve rezulton data 19 gusht.
Në periudhën janar – gusht numri i vizitorëvë ka arritur në 26 838 duke treguar në vazhdimësi se muzetë e QKM Berat, veçanërisht Muzeu Ikonografik Onufri janë destinacion i pashmangshëm për vizitorët e huaj, por nga sa vërehet edhe i vizitorëve vendas, gjë që po e tregon fluksi i lartë i tyre në fundjavë.
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore. Qendra e tij urbane reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.