Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri ka thënë se qasja e Vetëvendosjes për ndërtimin e partneritetit me LDK-në është e gabuar.
Beqiri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se LDK ka lëshuar pe në raport me Vetëvendosjen sa i përket marrjes së përgjegjësive për qeverisje.
Ai thotë se në diskutimin e parë ishte përmendur që LDK të merr Kryetarin e Kuvendit, zotimin për Presidentin dhe pesë ministri.
“Tash ne kemi lëvizur nga ai qëndrim dhe Kryetarin e Kuvendit do ta kthejmë pas një viti. Lëshim më të madh unë nuk di çfarë mund të bëjmë”.
Beqiri thotë se LDK nuk po kërkon as më shumë e as më pak se që i takon, përcjell Telegrafi.
“Neve qytetarët na kanë dhënë ‘hisen’ në qeveri. Normalisht që kur bëhen zgjedhje, mendohet edhe qeverisja. Mos të mendojë dikush se neve po na dhuron diçka”.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se dy raste kur LDK ka pasur 47 deputetë ka lëshuar shumë nga pushteti.
Sipas tij, tash diferenca është shumë më e vogël mes partisë së parë dhe të dytë, prandaj thotë se partia fituese duhet të ketë parasysh se edhe LDK po mbron interesin e votuesve.
Beqiri ka thënë se vullneti i shumicës edhe në Kryesi të LDK-së është për koalicion me Vetëvendosjen.
“Nuk dua të dal kundër atyre që kanë deklaruar ndryshe, por ky është realitet”, tha Beqiri./Telegrafi/