Abdyl Beqiri, përfaqësues i kompanisë së sigurimit fizik “Luani”, po ankohet se i është bërë e padrejtë në tenderin “Sigurimi fizik i objekteve të kujdesit primar shëndetësor në Prishtinë”, të shpallur nga Komuna e Prishtinës. Ai thotë se më 13 shtator të vitit 2016, Komuna e Prishtinës e kishte shpallur kompaninë e tij si fituese të këtij tenderi.
Por, sipas tij, pas ankesës së kompanisë “Alpha Private Security” në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lënda është kthyer në ritenderim, ku më pas Komuna e Prishtinës e kishte shpallur fitues të këtij tenderi kompaninë “Alpha Private Security”, shkruan sot, gazeta Zëri.
Mirëpo, tashmë kundër këtij vendimi është ankuar në OSHP kompania “Luani”, por deri më tash nuk është marrë ndonjë vendim në lidhje me fatin e këtij tenderi.
Beqiri thotë së herën e kaluar atij i është bërë e padrejtë në OSHP pasi ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me dosje të tenderit.
Ai tregon se herën e kaluar raporti i panelit shqyrtues bie ndesh me raportin e ekspertit shqyrtues për këtë proces të prokurimit. Sipas tij, eksperti shqyrtues për këtë proces prokurimi kishte rekomanduar panelin shqyrtues që ta refuzojë si të pabazuar ankesën e operatorit ankues “Alpha Private Security”.
“Eksperti shqyrtues i rekomandon panelit shqyrtues që ta refuzojë si të pabazuar ankesën e operatorit ekonomik ankues ‘Alpha Private Security’, me seli në Prishtinë, për këtë aktivitet të prokurimit dhe njëherësh ta aprovojë vendimin e autoritetit kontraktues, njoftimi për dhënie të kontratës i datës 13.09.2016 për këtë aktivitet të prokurimit ‘Sigurimi fizik i objekteve të kujdesit primar shëndetësor në Prishtinë’, me numër të prokurimit 616/16/107/211, të iniciuar nga autoriteti kontraktues – Komuna e Prishtinës”, thuhet në fund të ekspertizës së ekspertit shqyrtues. /Zëri/Telegrafi/