Site icon Telegrafi

Beqiri: Gabim i madh nëse Kosova do ta refuzonte marrëveshjen e Uashingtonit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili është edhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se ka pasur përpjekje për largimin e Ujmanit nga tavolina por nuk është arritur një qëllim i tillë.

Beqiri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se do të ishte e pakuptueshme t’i thuhet jo një marrëveshjeje ku garantues është SHBA.

“Unë si deputet i Kuvendit të Kosovës, mendoj se do të ishte një gabim i rëndë nëse do t’i thoshim jo kësaj marrëveshje, pavarësisht vërejtjeve që ne i kemi”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Nënkryetari i LDK-së thotë se kjo marrëveshje edhe po të shkonte në Kuvend do të votohej nga të gjithë pos Vetëvendosjes.

“Do të ishte një befasi e madhe nëse edhe ndonjë parti tjetër pos Vetëvendosjes do të votonte kundër kësaj marrëveshje”.

Duke folur për pikën më të ndjeshme të bisedimeve në Uashington, që ishte çështja e Ujmanit Beqiri ka thënë se jo të gjitha gjërat varen nga dëshira e Kosovës.

Ai ka thënë se me informatat që ka, ka pasur tentim për të hequr pikën e Ujmanit nga pala e Kosoves por nuk ka pasur sukses.

“Rreth 2.5 kilometër katrorë e Ujmanit është në territor të Serbisë. Do të kemi problem kur të bëhet demarkacioni i kufirit”, tha ndër të tjera Ismet Beqiri./Telegrafi/

Exit mobile version