Analisti politik Behlul Beqaj, duke komentuar mbi krizën politike në vend, mbi mospajtimet pozitë-opozitë, është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje mund të bëhet një subjekt i fuqishëm politik, nëse punon me strategji.
“Lëvizja Vetëvendosje fuqinë më të madhe e ka pasur deri kur ka artikuluar qartë qëndrimet e saja dhe argumentet për qëllimet që ka pasur. Por kohëve të fundit e ka humbur artikulimin dhe mbështetjen e vogël që ka pasur nga bashkësia ndërkombëtare. Metodat e Vetëvendosjes janë absolutisht të papranueshme. Nëse Vetëvendosja punon me strategji, do të bëhet e fuqishme në vitet në vazhdim”, tha Beqaj.
Në emisionin ‘Zona e Debatit’ në Klan Kosova, Beqaj po ashtu ka thënë se nuk e zheh zgjidhjen e problemeve politike nëpërmjet zgjedhjeve elektorale.
“Zgjidhja nuk është në zgjedhje. Nëse shkohet në zgjedhje është shumë e vështirë të besohet se ato do të kalojnë pa manipulime e parregullsi, për shkak se në mes opozitës e pozitës kemi një mosbesim të madh. Edhe nëse shkohet në zgjedhje, kemi mungesë të alternativës politike”, tha ai.
Përveç kësaj, Beqaj po ashtu shtoi se arsyet për thellimin e situatës së tensionuar politike vetëm po shtohen.
“Opozita ka pasur dy shkaqe që ishin tërheqëse në kuptimin kombëtar, mirëpo këtyre shkaqeve tani iu është shtuar edhe një, zgjedhja e presidentit. Në vend se të zvogëloheshin shkaqet për krizë, ato po shtohen”, është shprehur ai.