Telegrafi

Beqaj: Ja pse e shkarkova drejtorin e Tropojës

Pas publikimit të audio-skandalit në emisionin investigativ “STOP” ku u paraqit një regjistrim me zë ku ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shkarkonte nga puna drejtorin e ISKSH-së në Tropojë ka reaguar vetë Beqaj.

Përmes rrjetit të tij social, Beqaj tregon se drejtori i ISKSH-së në Tropojë është shkarkuar jo për faktin se nuk ishte i pranishëm në mbledhje, por për faktin se kishte dhënë për tre muaj rrogën e ekonomistit ndërkohë që ky i fundit nuk ishte fare në Shqipëri.

“Po, ajo çka është incizuar dhe transmetuar sonte si një “skandal” i madh, është e vërtetë, por jo e gjithë e vërteta. Sepse, faktikisht, zotëria nuk është larguar nga puna si anëtar i padisiplinuar i PS-së dhe as është larguar me kërkesën time.

Por, është larguar pasi është kapur në shkelje flagrante të ligjit.

Shkelja në fjalë ishte se i ka paguar rrogën për tre muaj personit në detyrën e ekonomistit, i cili që nuk ka qenë fare në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Kështu që, duke shprehur keqardhjen që “u mbars mali e polli një mi”, si dhe duke i siguruar teleshikuesit apo lexuesit e gjysëminformuar mbi këtë episod, se hakmarrja e asnjëlloj natyre nuk është as pjesë e kulturës sime shoqërore, apo aq më pak e edukatës sime familjare, mbetem i përkushtuar në realizimin e objektivave të Qeverisë në sektorin ku kam nderin të drejtoj si ministër i shëndetësisë”. /Telegrafi/