Telegrafi

Beogradi kërkon bisedime në Bruksel për Trepçën, Brezovicën

Paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës që Kombinati Trepça të kalojë në pronësi të qeverisë po kundërshtohet ashpër nga Beogradi zyrtar. Autoritetet serbe po mbështeten edhe nga serbët lokalë në Kosovë, të cilët sot kanë organizuar protesta e bllokim të rrugëve në veri të Kosovës.

Qeveria e Serbisë po insiston që për fatin dhe të ardhmen e e Trepçës, të vendoset në dialogun që Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë në Bruksel.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pas një fushate intensive diplomatike gjatë vikendit, kur sipas tij ai kishte biseduar me shumë përfaqësues ndërkombëtarë, kishte arritur që të ndikonte në shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për marrjen e Trepçës nën pronësi. “Temën e pronësisë në Bruksel nuk e kemi hapur ende dhe kërkojmë që të bisedojmë tani dhe jo që pasuria së pari të na merret brenda natës e pastaj të na thonë ejani të bisedojmë sepse i keni edhe dy miniera të vogla në veri”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, përveç Trepçës, Serbia pret të bisedohet edhe për Brezovicën, liqenin e Gazivodës e pasuri tjera të Kosovës.

Në mbështetje të politikave të Serbisë për të penguar kalimin e Trepçës nga një ndërmarrje shoqërore në pronësi të Qeverisë së Kosovës, sot janë ngritur në protesta edhe qindra banorë serbë nga komunat veriore, përfshi edhe punëtorët serbë nga ky kombinat.

Ata kanë marrë mbështetjen e kryetarëve të komunave, të cilët vijnë nga Lista Serbe, subjekt ky i krijuar nga Beogradi.

Kryetari i komunës veriore të Mitroviës, Goran Rakiç ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të marrë vendim të njëanshëm për pronësinë e Trepçës. “Mbështetja Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës në këto momente të vështira vjen si një vendim i përbashkët me qëllim të ruajtjes së kombinatit Trepça dhe ruajtjes së stabilitetit dhe parandalimit të destabilizimit që mund të rrezikon ekzistencën e serbëve të veriut të Kosovës”, ka theksuar Rakiq.

Edhe në komunat tjera veriore, si në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan kishte organizime të ngjashme.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve serb të kombinatit Trepça Dushan Dragoviq ka deklaruar se punëtorët serbë e kundërshtojnë çfarëdo ndryshimi të pronësisë së Trepçës.

“Nga ky vend, qartë dhe zëshëm porosisim të gjithë se nëse nuk pranohen argumentet dhe qëndrimet e qeverisë së Serbisë do të ndërmarrim hapat tjerë dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet juridike e demokratike për realizimin e të drejtave tona”, ka thënë kryesindikalisti serb i Trepçës.

Gjatë kohës së mbajtjes së protestave, disa rrugë magjistrale në veri kanë qenë të bllokuara. /Rel/Telegrafi/