Një raund i bisedimeve në Bruksel për çështje teknike ka ritheksuar dallimet ndërmjet palëve dhe ka ngritur shqetësime të reja për vazhdimin e dialogut, që duhet të çojë në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në Beograd, ndërkaq, janë shtuar zërat se në pamundësi të arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Serbia do ta shfrytëzojë për shpalljen e njëanshme të bashkësisë së komunave.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, i tha Radios Evropa e Lirë, se muaji korrik është afati i fundit për përfundimin e punës në hartimin e statutit të Asociacionit dhe në rast të mos përmbushjes së këtij afati ka rrezik që Serbia të ecë një hap përpara.
“Bashkësia ndërkombëtare druan se Beogradi ka përgatitur një skenar për vetëshpalljen e bashkësisë së komunave. Kjo do të thotë se, për shkak të pakënaqësisë me ngadalësinë e procesit, bashkësitë e komunave të vetëshpallen dhe të konstituohen”.
“Kjo do të jetë sfida më e madhe e këtyre bisedave teknike. Nëse në nivelin e ekspertëve vlerësohet se kjo frikë nuk është e arsyeshme atëherë me siguri më fillimin e qershorit, menjëherë pas krijimit të qeverisë së Serbisë, do të pasojë takimi i kryeministrave Vuçiq e Mustafa, që do të zhbllokojë çështjen e bashkësisë së komunave”, tha Janjiq.
Por, për ministren për dialog të Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, vetëshpallja e bashkësisë së komunave është një hap i pamundur dhe ritheksoi faktin se Serbia në të kaluarën ka bërë hapa të njëanshëm me të cilët, siç tha, ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit.
“Serbia e ka parasysh se pa i plotësuar të gjitha marrëveshjet e Brukselit mund t’ia bllokojë vetes rrugën për në BE”, tha Edita Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Çështja e strukturave paralele në veri të Kosovës, ndërkohë, ka bllokuar procesin e bisedimeve, duke krijuar hendek më të thellë mes palëve dhe duke pamundësuar edhe zbatimin e një numri marrëveshjesh, posaçërisht asaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Për palën e Kosovës strukturat paralele duhet të zhbëhen për t’i hapur rrugën zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve, në veçanti për Asociacionin.
Për Serbinë, ndërkaq, themelimi i Asociacionit duhet të ketë një afat të përcaktuar kohor. Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Slavko Simiq, i tha Radio Evropa e Lirë se Asociacioni i komunave serbe është i domosdoshëm sepse, sipas tij, nënkupton mbijetesë për popullatës serbe dhe është një çelës i marrëveshjes së Brukselit.
“Na duhet dialog, na duhet pak më shumë durim dhe të bëhet një presion mbi përfaqësuesit ndërkombëtarë, mbi bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare, që së bashku me shqiptarët të fillojmë sa më shpejt krijimin e bashkësisë së komunave serbe”, tha Simic.
Ndryshe, Asociacioni ngriti kundërshtimet e fuqishme në skenën politike në Kosovë, me opozitën që nuk lejoi mbajtjen e seancave të Kuvendit, duke përdorur gazin lotsjellës, situatë kjo që çoi drejt një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për shpërputhjen e statutit të Asociacionit me Kushtetutën.
Zhbërja e strukturave paralele, ndërkaq, është bërë çështje më e komplikuar, për faktin se strukturat koordinuese të krijuara nga Beogradi zyrtar që më 2013, për të ndihmuar në integrim në institucionet komunale të Kosovës, janë shndërruar në struktura po ashtu paralele.
Takimi i nivelit të kryeministrave mendohet se do të zhbllokojë gjithë procesin, por për këtë nevojitet krijimi i qeverisë në Serbi dhe njëkohësisht edhe qetësimi i situatës në Kosovë.