Site icon Telegrafi

Beogradi demanton Arifin: Nuk ka vazhdim të dialogut në fund të shkurtit

Ekipi negociator i Serbisë ka mohuar paralajmërimin e sotëm të kreut të delegacionit të Kosovës për pjesën teknike të dialogut me Serbinë, Avni Arifi, se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë në fund të shkurtit.

Në ekipin negociator të Beogradit i është thënë agjencisë së lajmeve Beta se “është e sigurt se nuk do të ketë dialog në fund të shkurtit, sepse ne jemi ende duke pritur raportet nga hetimi në vendin e ngjarjes, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë në mesin e janarit”.

“Nuk do të pranojmë që dialogun ta caktojë Arifi. Ai është i ri në dialog, dhe ndoshta nuk di, por duhet të mësojë se si caktohet dialogu”, kanë thënë në ekipin negociator të Beogradit, përcjell Telegrafi.

Agjencia serbe e lajmeve Beta, raporton se kreu i delegacionit të Kosovës në pjesën teknike të  dialogu, Avni Arifi i ka thënë Telegrafit të Prishtinës se “nuk ka datë të saktë, por në fund të shkurtit do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi”.

Lexo po ashtu Arifi: Dialogu Kosovë-Serbi shpresoj të rifillojë në fund të shkurtit

Arifi është në krye të ekipit negociator të Kosovës nga mesi i janarit, dhe është shef i Kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Dialogu pas një pauze prej gati dy vitesh duhej të vazhdonte më 16 janar, por kjo nuk ndodhi për shkak se në pjesën veriore të Mitrovicës të njëjtën ditë u vra kryetari i Iniciativës Qytetare (SDP) Oliver Ivanoviq, kurse delegacioni serb refuzoi të marrë pjesë në dialog.

Pjesën politike të dialogut do të duhej ta udhëheqin presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version