Një pasagjer vonoi një fluturim për tetë orë me radhë pasi ‘bënte shaka’ se kishte coronavirus.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, e gjithë ngjarja kishte ndodhur të shtunën në linjën ajrore të American Airlines që do të nisej nga Dallas në Nashville të Tenesi.
Pasagjeri i cili nuk është identifikuar, vazhdonte të qëndronte në bord, ndërsa pretendonte se kishte coronavirusin, i cili deri më tani ka infektuar në SHBA 3,774 persona, ndërsa 69 të tjerë kanë ndërruar jetë.
“Njerëzit ishin habitur sepse askush nuk dinte se çfarë po ndodhte, njerëzit nuk e dinin nëse ishte me të vërtetë i sëmurë apo jo”, tha pasagjeri Brandon Kenney.
Raportohet se pasagjeri më vonë u dëbua nga ky fluturim, teksa u përcoll nga oficerët e policisë.
“Menjëherë pasi u dëbua nga aeroplani, një nga policët u kthye, ndërsa shpjegoi situatën se personi tërë kohën kishte bërë shaka, kinse ishte i infektuar nga coronavirusi”, shtoi pasagjeri. /Telegrafi/