Një 32-vjeçar në Tiranë porosiste produktet (aparate celular) në adresën e banesës së tij dhe kur korrierët mbërrinin për të dorëzuar pakon, i kërcënonte me thikë, duke u marrë celularin pa paguar.
Si pasojë, ai ka përfunduar në prangat e policisë dhe si provë materiale u sekuestrua një aparat celular, i vjedhur me datë 27.12.2024 dhe një shumë parash.
Ndërkohë, po vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar në të dhënat e marra se një shtetas thyente masën e sigurisë dhe kryente vjedhje nën kërcenimin e një mjeti prerës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Porositësi”.
Si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasit E. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
“Ky shtetas porosiste produktet(aparate celular) në adresën e banesës së tij dhe kur korrierët mbërrinin për të dorëzuar pakon, i kërcënonte me thikë, duke u marrë celularin pa paguar”, thuhet në njoftim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas në datat 15,21, dhe 27.12.2024, ka kryer të njëjtën veprimtari të paligjshme./Telegrafi/