Durimi i tifozëve të Arsenalit me trajnerin Arsene Wenger ka prekur fundin.
Asnjë titull kampion në 13 vitet e fundit, diçka që askush nuk do ta kishte parashikuar dhe ndoshta pas 21 sezonesh francezi do ti japë lamtumirën Topçinjve të Londrës.
Wenger nuk ka rinovuar ende kontratën e tij me klubin londinez dhe mesa duket drejtuesit e Arsenalit po mendojnë që tani për pasuesin e tij pa marrë një përgjigje përfundimtare nga ana e 67-vjeçarit. Sipas mediave angleze në skenë ka dalë një emër i ri, madje një trajner shumë i njohur në Angli i cili më parë ka drejtuar Liverpool-in dhe Chelseain, ndërsa tashmë është nën kontratë me Newcastle United.
Bëhet fjalë për spanjollin Rafa Benitez. Ish-trajneri i Realit të Madridit pëlqehet shumë nga drejtuesit e Arsenalit dhe këta të fundit po mendojnë seriozisht t’i japin drejtimin e skuadrës londineze, transmeton SS.
Benitez ka treguar se është një trajner që di të fitojë trofe duke krijuar një reputacion të mirë gjatë këtyre viteve. Nëse Benitez ulet në stolin e Arsenalit ai do të rikthente në klub një legjendë si Thierry Henry.
Francezi i cili aktualisht është ndihmësi i Roberto Martinez te përfaqësuesja belge do të emërohej në postin e zëvendës-trajnerit te Arsenali nëse drejtimin e merr tekniku aktual i Newcastleit.
Emrat e tjerë në listën e drejtuesve të klubit londinez për stolin, janë Luis Enrique, Thomas Tuchel dhe Leonardo Jardim.