Telegrafi

Benitez i kënaqur me shortin e LK

Liverpooli do të ketë në grup ekipin francez Lyon, atë italian Fiorentina dhe ekipin hungarez Debrecen. Të kuqtë nuk janë takuar kurrë me ndonjërin prej këtyre tri ekipeve në garat evropiane, dhe Benitez është i kënaqur me këtë.

“E dini, në Ligën e Kampionëve gjithmonë ka ndeshje të vështira, dhe ekipe kundër të cilave vështirë luhet. Lyoni nuk e ka fituar ligën sezonin e kaluar, por para kësaj e ka bërë atë disa vite radhazi, andaj e dimë se sa futbollistë të mirë ka”, ka thënë Benitez.

“Fiorentina është një klub historik nga një qytet i bukur. Nga përvoja personale e di se ata kanë tifozë fantastik. Kemi përvojë edhe me futbollin hungarez, dhe fakti se Debrecen e ka fituar ligën atje, tregon se është ekip i mirë”.

“E rëndësishme është që udhëtimi nuk është i keq, në asnjërën prej ndeshjeve nuk duhet të shkojmë shumë larg. Shohim me optimizëm kah fillimi i garës”, shton spanjolli.