Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare të shtunën e kaluar (28 maj).
Ai ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin të Gjermanisë. I njëjti fillimisht ka qenë duke u trajtuar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte komplikime të periudhës post-COVID.
Në nder të jetës dhe veprimtarisë së tij, homazhet nisën në hollin e presidencës në orën 10:00, ku të pranishëm ishin njerëz të profileve të ndryshme, miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit.
Në një imazh të publikuar nga Top Channel, shihet se pjesë e homazheve në nder të ish-presidentit ka qenë edhe mbesa e tij, Beniada Nishani.
Kjo e fundit deklaroi në Big Brother VIP se kishte lidhje gjaku me ish-presidentin, e madje shprehu edhe ngushëllime pas vdekjes së tij.
“Askush nuk vdes në tokë për sa kohë që jeton në zemrën e atyre që mbeten”, tha Beniada.
I ndjeri theksojmë që ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. /Telegrafi/