Telegrafi

Bengazi, FBI në gjurmët e 3 personave

FBI ka shpërndarë të mërkurën pamjet e disa elementëve që ndodheshin në afërsi të selisë diplomatike gjatë sulmit dhe janë filmuar nga telekamerat.

Sipas versionit zyrtar, Shtetet e Bashkuara nuk i njohin identitetet e tre personave dhe shpresojnë që dikush në Libi apo diku tjetër t’i njohë ata.

Në shpërndarjen e buletinit zyrtar të kërkimit, autoritetet kanë deklaruar se ende nuk dihet se cili ka qenë roli i të kërkuarve, transmeton TCH.

Pikërisht mbi përgjegjësit e dyshuar të atentatit, televizioni Fox, duke cituar burime anonime nga sektori i sigurisë, ka zbuluar se CIA e njeh identitetin e trurit të sulmit ndaj konsullatës, por administrata Obama ka kërkuar kohë duke mos kryer asnjë operacion për kapjen e terroristit.

Motivi i kujdesit të treguar nga Shtëpia e Bardhë është dëshira e këtij institucioni për të mos shkaktuar tensione të reja në Libi, vend që vuan ende nga destabiliteti.

Në muajt e fundit kanë qarkulluar hipoteza për organizatorët e mundshëm të sulmit. Theksi është vënë tek ekstremistët lokalë të lidhur me Al Qaeden në territorin e Magrebit, tek një militant egjiptian dhe tek grupi Ansar al Sharia, lideri i të cilit ka mbetur i plagosur së fundmi. /Telegrafi/