Telegrafi

#BendGate vazhdon, shfaq 300 iPhone 6 të lakuar

Me rastin e iPhone 4, Apple kishte shpërndarë miliona mbështjellësa të telefonit të saj falas, si dhe i kishte ftuar disa nga mediat më të rëndësishme në fabrikat e saj, për ta parë se sa e kujdesshme është gjatë prodhimit të telefonit. Më pas, kompania amerikane ishte kujdesur që problemet e ngjashme t’i evitonte në iPhone 4S.

Edhe me "Bendgate", Apple u përpoq ta përdor të njëjtën strategji. Ajo i ftoi gazetarët dhe blogerët e teknologjisë në objektet e saj dhe i udhëzoi ata që të shkruajnë në lidhje me qëndrueshmërinë e madhe që e kanë modelet e saj më të reja të telefonave të mençur.

Më pas, kompania gjithashtu lëshoi një deklaratë duke thënë se vetëm nëntë klientë ishin ankuar për lakimin e telefonit të tyre të ri, iPhone 6, dhe se ata ishin kompensuar me modele të reja.

Mirëpo, një video e re e cila i demanton pohimet e Apple, i ka grumbulluar së paku 300 njësi të iPhone 6 dhe 6 Plus, të cilët janë lakuar gjatë përdorimit.

Pas lansimit të iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus në fund të shtatorit, ka pasur një stuhi të mbulimit mediatik rreth Bendgate. Sipas shumë përdoruesve, iPhone i ri i kompanisë Apple i bërë nga alumini ishte aq i hollë se lakohej, ndërsa rrinte në xhepat e njerëzve.

Në faqen që është krijuar për ta demantuar Apple, dhe për të pohuar se janë më shumë se 9 iPhone 6 që janë lakuar janë të listuar rreth 300 iPhone që shihen të deformuar. (Telegrafi)