Vesna Bendevska, anëtarja e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi tha sot se bashkë me Asociacionin e Juristëve të Rinj po përgatisin padi kundër shtetit, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Arsyeja është mungesa e teksteve shkollore.
“Me fillimin e vitit shkollor më shumë se një e treta e teksteve nuk janë dorëzuar, nga 123 tekste të kërkuara, 46 kanë munguar”, tha Bendevska.
Komisioni konstatoi se kur nuk ekziston teksti shkollor si mjet bazë për realizimin e procesit mësimor-edukativ, ata nxënës nuk kanë qasje të barabartë në arsim cilësor në krahasim me ata që kanë tekste dhe për këtë arsye po përgatitet padi për mbrojtje nga diskriminimi kundër Ministrisë së Arsimit.
“Komisioni ka marrë një vendim dhe është duke u zbatuar. Do të bëjmë padi në gjykatën civile për mbrojtje nga diskriminimi në interes publik për mungesë tekstesh. Atë çka kemi konstatuar gjatë punës sonë. Në atë rast, Komisioni do të jetë një nga palët në mosmarrëveshje dhe do të fillojë me përfaqësimin strategjik të interesave të nxënësve. Është në interesin e tyre të marrin arsim cilësor, dhe kjo do të thotë një tekst shkollor për çdo lëndë, në çdo klasë dhe në çdo gjuhë në të cilën zhvillohet mësimi. Shteti, pra Ministria e Arsimit do të paditet. Ne jemi duke e përgatitur padinë dhe do ta paraqesim së bashku me partnerët tanë strategjikë, Shoqatën e Juristëve të Rinj të Maqedonisë”, tha Bendevska./Telegrafi/