Telegrafi

Bën jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare incidenti i shëmtuar në ndeshjen mes Vushtrrisë dhe Malishevës në barazh

Mediat ndërkombëtare kanë filluar të reagojnë për incidentin që shkaktuan tifozët e Vushtrrisë në luftën e barazhit përball Malishevës.

Mediumi TyC Sports i ka kushtuar një artikull këtij incidenti, aty ku tifozët vushtrrias shqyen rrjetën dhe shkatërruan ulëset e stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Futbolli i Kosovës pati në një nga protestat më të pazakonta të vitit. Vushtrria po luante për ngritje në Superligë kundër Malishevës, por rezultati nuk ishte ai që pritej dhe gjithçka shpërtheu kur gjyqtari i ndeshjes dha penallti ndaj këtyre të fundit”, kështu fillon shkrimi i mediumit.

Lexo po ashtu Ndërpritet ndeshja Vushtrria – Malisheva, tifozët vushtrrias ‘Forca’ largojnë rrjetën e portës dhe demolojnë ulëset

“Ishte minuta e 78-të e ndeshjes dhe Vushtrria po humbiste 2-0 . Atmosfera në stadium tashmë ishte ndezur dhe gjithçka u përkeqësua kur gjyqtari sinjalizoi për penallti”.

“Pikërisht atëherë tifozët vendosën të shqyejnë rrjetën si shenjë proteste. Më në fund, pas disa minutash, ndeshja rifilloi dhe Malisheva nga njëmbëdhjetë metra shënoi për 3-0”, thuhet më tej në shkrimin e TyC Sports për incidentin.

Një raportim për këtë incident të shëmtuar në futbollin kosovar pati edhe SportsCenter, që lëshoi një video nga momenti. /Telegrafi/