Telegrafi

Ben Emmerson s’do të jetë më avokat i Kadri Veselit

Gjykata Speciale ka miratuar tërheqjen e avokatit Ben Emmerson nga roli i tij si mbrojtës i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ndërkaq ka siguruar se ky ndryshim nuk do të sjellë vonesa në procesin gjyqësor.

Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Gjykata më 21 gusht 2024, u theksua se Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka miratuar përfundimin e përfaqësimit ligjor të Veselit nga Emmerson.

Ky vendim u mor pasi të dy, Veseli dhe Emmerson, arritën një marrëveshje të përbashkët për tërheqjen.

Gjykata u shpreh e bindur se ndryshimi në ekipin mbrojtës nuk do të shkaktojë ndonjë vonesë në procesin gjyqësor.

Gjykata gjithashtu bëri të ditur se vendimi për largimin e Emmersonit do të hyjë në fuqi menjëherë pas emërimit të një kryembrojtësi të ri.

Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës është udhëzuar të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar një zëvendësim sa më të shpejtë.

Arsyet për tërheqjen e Emmersonit nga ky rast ende mbeten të paqarta.

Kujtojmë se në janar të këtij viti, Gregory Kehoe, avokati i mëparshëm i Hashim Thaçit, së bashku me Joe Reeder dhe anëtarët e firmës “Greenberg Legal Associates”, u larguan nga mbrojtja e Thaçit për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga ana e klientit të tyre./Telegrafi/