Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti në takim, Rabinin Jack Bemporad, drejtor i Qendrës për mirëkuptim ndërfetar në SHBA dhe profesor i studimeve religjioze në Universitetin e Romës.
Duke theksuar faktin se brenda pak muajsh është hera e dytë që viziton Kosovën, Bemporad u shpreh se gjithmonë është i motivuar të vij në Kosovë, sepse këtu gjenë një traditë të gjallë të mirëkuptimit mes feve të ndryshme, qëllim për të cilin ai është i anagzhuar si aktivist dhe profesor.
Më tutje Rabini Bemporad theksoi se kohëve të fundit ka lexuar mbi disa perceptime jo të mira mbi radikalizmin fetar në Kosovë, por se gjërat në realitet flasin më ndryshe.
“Ju nuk duhet të jeni vetëm krenar më traditën tuaj të mrekullueshme të paqes ndërfetare, por edhe të bëheni të zëshëm për ta transmetuar atë. Bota duhet të dijë se ju keni një histori të gjatë të bashkëjetesës e tolerancës mes feve të ndryshme. Bota duhet ta dijë se ju keni një traditë ku fetë respektohen reciprokisht dhe dallimet nderohen. Bota duhet të dijë se vendi juaj ka një emër të mirë në historinë e shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Nga ana e tij kryetari Veseli theksoi se tradita e fuqishme e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Kosovë është e rrënjosur thellë në shpirtin e qytetarëve të vendit tonë dhe çdo perceptim tjetër është i paqëndrueshëm, sipërfaqësor dhe i përkohshëm.
“Edhe në kohërat më të rënda ne nuk kemi hequr dorë nga vlerat tona të tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar. I kemi ruajtur me sakrifica dhe do të vazhdojmë t’i ruajmë. Ky është identiteti ynë i pathyeshëm evropian dhe civilizues”, shtoi Veseli. /Telegrafi/