Site icon Telegrafi

Bellingham reagon në rrjetet sociale pas kartonit të kuq që mori ndaj Osasunës

Real Madridi mbrëmë (e shtunë) luajti baras me rezultat 1-1 ndaj Osasunës në udhëtim në kuadër të javës së 24-të në La Liga. 

Ky barazim mund të ketë pasoja për madrilenët pasi në rast se Barcelona fiton të hënën ndaj Rayo Vallecanos, atëherë do të ‘rrëmbente’ kreun e tabelës. 

Më shumë se sa rezultati, ajo që u diskutua pas ndeshjes kishte të bëjë kryesisht me vendimet e gjyqtarit Jose Munuera. 

Po zhvillohej minuta e 39-të e ndeshjes kur Munuera e nxori nga xhepi kartonin e kuq për ta përjashtuar nga loja anglezin Jude Bellingham. 

Lexo po ashtu Ka vetëm një mënyrë se si Bellingham mund t’i shpëtojë dënimit pas kartonit të kuq

Të gjithë mbetën të habitur nga ky veprim i gjyqtarit pasi ishte e qartë se ky karton nuk u dha për ndonjë ndërhyrje të palejueshme, por për një debat mes palëve. 

Gjyqtari Munuera pas ndeshjes pretendoi se Bellingham e ka ofenduar me fjalor të rëndë, ndërsa ky i fundit tha se ka pasur një keqinterpretim të fjalëve që ai ka thënë. 

Lexo po ashtu Ancelotti mohon fjalët e gjyqtarit për atë që ia tha Bellinghami

Tani një ditë pas përfundimit të asaj ndeshje, ka ardhur edhe reagimi i Bellingham përmes rrjeteve sociale. 

“U tha mjaftueshëm për atë keqkuptim, vetëm desha të kërkoj falje sërish që i lashë bashkëlojtarët e mi në një pozitë kaq të vështirë dhe t’i falënderojë tifozët për mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre”, ka shkruar Bellingham. 

Tashmë është bërë e ditur se drejtuesit e klubit gjatë ditëve në vijim do të paraqesin provat e tyre në tentim për ta anuluar kartonin e kuq të mesfushorit./Telegrafi/

Exit mobile version