Autoritetet belge deklaruan sot se do të vijojnë të mbajnë në nivelin 3 masat e sigurisë, me argumentin se ka shenja që Shteti Islamik ka dërguar militantët e tij në Belgjikë dhe Evropë.
Ky nivel qëndron vetëm një shkallë më poshtë nivelin maksimal të sigurisë që përbën nivelin katër, në të cilin për ruajtjen e rendit përfshihen masivisht edhe forcat e ushtrisë.
Një zëdhënës nga qendra belge e menaxhimit të krizave nënvizoi se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ekstremistët mund të godasin sërish dhe se masat e sigurisë do të qëndrojnë në nivelin tre për të parandaluar një tragjedi të ngjashme me atë të 22 marsit.
“Niveli i sigurisë qëndron i pandryshuar edhe sot. Kemi shkëmbyer informacione me autoritetet dhe në bazë të analizave, rreziku i një sulmi terrorist qëndron në nivelin tre. Kjo do të thotë që mundësia mbetet ende e lartë. Besoj se të gjithë e keni parë që bastisjet dhe kontrollet e policisë kanë qenë të shpeshta. Mund t’iu njoftoj se këto operacione kanë shënuar progres në luftën kundër terrorizmit”, janë fjalët e zyrtarit belg.
Më herët e përditshmja gjermane Bild ngriti alarmin se Shteti Islamik ka planifikuar sulme terroriste në brigjet evropiane, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën. Sipas Bild inteligjenca gjermane ishte informuar nga ato italiane për kërcënimet e organizatës terroriste. Sipas tyre, terroristët kanë planifikuar të maskohen si shitës ambulantë nëpër plazhe, për të kryer më pas sulmet terroriste.