Telegrafi

Beleri në spital pas problemeve me zemrën, pritet të caktohet seancën gjyqësore e radhës

Burime për Euronews Albania konfirmojnë se prej katër ditësh kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri është i shtruar në spitalin e burgut. Shkak për këtë janë bërë problemet me zemrën që ka shfaqur Beleri.

Nga ana tjetër bëhet me dije se Apeli i Gjykatës së Posaçme GJKKO pritet të caktojë datën për seancën mbi ankimin e kryebashkiakut të Himarës.

Beleri kërkoi në ankimimin e tij pushimin e çështjes, me pretendimin se nuk ka asnjë provë që ta përfshijë në veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi i kërkoi Apelit të Posaçëm masë më të butë se “arresti me burg”, me pretendimin se situata e tij shëndetësore i rrezikon jetën në izolim.

Beleri dhe bashkëpunëtori i tij akuzohen për blerjen e votave gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, akuza të cilat i kanë mohuar dhe i kanë cilësuar si inskenime politike. /Telegrafi/