Site icon Telegrafi

Beleri lë qelinë, niset për në Strasburg për t’u betuar si eurodeputet

Ashtu siç dhe ishte parashikuar në lejen e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve, në orën 06.30 të mëngjesit të kësaj të hëne Alfred Beleri ka lënë qelinë në burgun e Fierit për t’u nisur më pas drejt Parlamentit Europian ku do të bëjë betimin si eurodeputet.

Ai është pritur nga një mjet me targa diplomatike greke, dhe nga familjarë e mbështetës të tij. Për mediat greke ai tha se i falënderon për mbështetjen e dhënë dhe se të tjerat do t’i thotë në Athinë, ndërsa për median shqiptare do të flasë në aeroport.

Një ditë më parë, drejtoria e Burgjeve i dha leje pesë ditore për të udhëtuar drejt Strasburgut për t’u betuar si eurodeputet i zgjedhur nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi. Beleri kishte disa ditë që kishte kërkuar leje për të dalë nga qelia, por vetëm këtë të diel komisioni në Drejtorinë e Burgjeve është bindur për të miratuar kërkesën e tij.

Beleri ndodhet në qeli prej majit të vitit të shkuar, kur u arrestua për blerje votash. Tashmë ish-kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë humbi mandatin pas vendimit të KQZ dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e dënoi me 2 vite heqje lirie. Nga qelia Beleri arriti që të merrte dhe mandatin si eurodeputet. /Telegrafi/

Exit mobile version