Site icon Telegrafi

Belegu: Nuk e di se çka po ndodh me Besën e Dritën

Në fakt, Drita e Gjilanit dhe Besa e Pejës kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga garat dhe këtë e bëjnë për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Befasia është edhe më e madhe kur dihet se kohën e fundit si Drita ashtu edhe Besa kanë bërë përforcime, madje me basketbollistë të huaj, të cilët duhet pranuar se nuk kushtojnë lirë.

Madje, Drita kishte edhe rezultate të mira dhe është ndër skuadrat më të suksesshme në ndeshjet e para të edicionit të ri në ETC Superligë duke pësuar vetëm njëherë, ndërkohë që Besa kishte orar diçka më të vështirë dhe është e kuptueshme mungesa e rezultateve.

Duhet thënë se pejanët drejtohen nga trajneri i njohur kroat Boris Kurtoviç, i cili kishte premtuar organizim të mirë dhe një Besë gjithnjë e më të fuqishme.

Fazli Fazliu, drejtor në KB Drita, ka thënë se është vetëm një arsye, mosmbështetja financiare. Ai ka thënë se në pesë xhirot e para e nisën mirë, pësuan vetëm një humbje dhe shënuan katër fitore radhazi, por me gjithë këto suksese ekipi nuk gjeti mbështetje financiare.

“Ne gjatë këtij viti u munduam që adhuruesve tanë të flaktë t’u sjellim basketbollin më të mirë të mundshëm, sollëm përforcime nga jashtë dhe tashti jemi mbështetur për muri, ngase mjete financiare nuk ka, sikurse që nuk ka ndonjë sponsor të përhershëm”, ka thënë Fazliu.

As drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë në vazhdim të kampionatit. Ndonëse e pranojnë se tërheqja nga garat do të ishte grusht i rëndë për basketbollin tonë, megjithatë do të jenë të detyruar që garat t’i vazhdojnë edhe në mungesë të dy klubeve.

“Ende nuk e kam të qartë se çfarë do të ndodhë me këto dy skuadra. Ne e kemi caktuar orarin e ndeshjeve për të mërkurën, dhe derisa Drita është mysafire, Besa ndeshjen e zhvillon si vendase në Pejë dhe duhet të dihet më herët të paktën 72 orë se a do ta zhvillojë apo jo ndeshjen. Po shpresoj se të dy skuadrat do të paraqiten në ndeshje”, tha kryetrari i FBK-së, Erolld Belegu.

Në pyetjen se a mos është kjo sjellje në një mënyrë presion që këto skuadra të ndihmohen, Belegu tha “nuk e di, mund të jetë edhe kjo, por dihet se menaxhimi është përgjegjësi e drejtuesve të klubit dhe ne këtu nuk ndërhyjmë”.

Shpresat se kampionati do të vazhdojë me aq skuadra sa ka nisur nuk janë shuar, pasi dje ka pasur zëra se të dy klubet mund t’i vazhdojnë garat dhe nuk ka dyshim se kjo i ka gëzuar dashamirët e basketbollit si në Gjilan ashtu edhe në Pejë. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version